
Skiatorja italo-shqiptare grumbullon pikë të rëndësishme në Kupën e Botës
Skiatorja italo-shqiptare Lara Colturi u rendit në vendin e 20-të në garën e Sllallomit Gjigant, zhvilluar këtë të martë në Kronplatz, në ndalesën e radhës të Kupa e Botës për Skitë Alpine.
Në lëshimin e parë, Colturi, e cila përfaqëson ngjyrat kuqezi, u pozicionua në vendin e 22-të me kohën 1 minutë 16 sekonda e 42 të qindtat, duke siguruar kualifikimin për në lëshimin e dytë. Edhe në zbritjen e dytë ajo u rendit e 22-ta me kohën 1 minutë 7 sekonda e 54 të qindtat, çka i dha në fund vendin e 20-të në klasifikimin e përgjithshëm me kohën totale 2 minuta 23 sekonda e 96 të qindtat.
Gara e Sllallomit Gjigant në Itali u fitua nga Julia Scheib, ndërsa vendi i dytë shkoi për zviceranen Camille Rast. Në vendin e tretë u rendit suedezja Sara Hector.
Pas kësaj gare, Lara Colturi zbret në vendin e dhjetë në renditjen e përgjithshme sezonale, me 445 pikë të grumbulluara, duke mbetur një nga sportistet më konstante të këtij edicioni.
