
Gazetari Giuseppe Bascietto paralajmëron se grupet shqiptare, në bashkëpunim me klane lokale, po veprojnë pa konsensusin e Cosa Nostras dhe po e kthejnë juglindjen e Siçilisë në nyje të trafikut ndërkombëtar të drogës
Kriminaliteti i organizuar shqiptar dhe aleancat e tij me klane lokale në Siçili po ngjallin shqetësim të madh te autoritetet italiane. Gazetari investigativ Bascietto, gjatë një dëshmie para një komisioni hetimor, ka folur për një prani gjithnjë e më të fortë të grupeve shqiptare, të cilat kanë ndërtuar lidhje të qëndrueshme me familje dhe klane mafioze në zona të ndryshme të Siçilisë.
Sipas tij, në Gela shqiptarët kanë bashkëpunim me familjet Paolello dhe Rinzivillo, ndërsa në Catania janë krijuar aleanca me klanin Cappello dhe grupet Arena e Nizza të lagjes Librino, të cilat janë shkëputur nga klani Santapaola. Në Siracusa vepron klani Bottaro, ndërsa zonat e Avola, Pachino dhe Rosolini kontrollohen nga klanet Aparo, Trigila dhe familja Crapula, me lidhje edhe me klanin Nardo.
Bascietto thekson se situata është veçanërisht shqetësuese pasi këto organizata të reja po veprojnë pa miratimin e Cosa Nostras palermitane, duke krijuar tensione të forta në territor. Sipas tij, aftësia e grupeve shqiptare për të ndërtuar aleanca ka qenë vendimtare për depërtimin e tyre në juglindje të Siçilisë, një zonë e konsideruar historikisht si pika më e brishtë e rajonit.
Gazetari paralajmëron se kjo zonë po shndërrohet në “një nyje të re strategjike e trafikut ndërkombëtar të drogës”, duke iu referuar Gioia Tauros, si qendër strategjike e trafikut ndërkombëtar të drogës. Sipas skemës së përshkruar, droga mbërrin, magazinohet në zona rurale dhe fshihet në mjete të sofistikuara, për t’u shpërndarë më pas në gjithë Europën. Rruga kalon nga Catania drejt Kalabrisë, nën mbrojtjen e klaneve historike të ’ndranghetas, e më pas në Pulja dhe deri në Gjermani.
Deklaratat e Basciettos kanë tërhequr vëmendjen e Komisionit, duke nxjerrë në pah rrezikun që paraqesin këto aleanca të reja kriminale. Ai ka theksuar se vetëm hetimet e ardhshme do të mund të sqarojnë plotësisht deri në çfarë mase këto organizata po veprojnë jashtë kontrollit të mafieve tradicionale, duke bërë thirrje për bashkëpunim më të ngushtë mes forcave të rendit dhe institucioneve./LASICILIA
