
Maliqi pretendon se tenderi i rikonstruksionit të shkollës është i pajustifikuar dhe i lidhur me interesa politike, ndërsa kërkon hetim të plotë nga Prokuroria e Posaçme.
Lefter Maliqi ka paraqitur sot në SPAK një kallëzim penal ndaj kryebashkiakut të Kuçovës, Kreshnik Hajdari, duke e akuzuar për parregullsi në një tender me vlerë rreth 1 milion euro për rikonstruksionin e një shkolle në qytet. Sipas tij, investimi nuk përputhet me nevojat reale, pasi shkolla ka një numër shumë të ulët nxënësish.
Maliqi shton se tenderi është fituar nga një subjekt i lidhur familjarisht me një ish-deputet, gjë që sipas tij tregon ndikime politike dhe mungesë transparence. Ai kujton se kjo nuk është hera e parë që kërkon ndërhyrjen e drejtësisë, duke nënvizuar se prej më shumë se dy vite e gjysmë po ndjek disa kallëzime për projekte të tjera, përfshirë një investim prej 4 milionë eurosh dhe ndërtimin e një segmenti rruge gjatë fushatës, që sipas tij është realizuar pa procedurat e duhura të tenderimit.
SPAK pritet të vlerësojë kallëzimin dhe të vendosë mbi hapat e mëtejshëm të hetimit.
