
Apeli ashpërson masat për pesë ish-funksionarë pas hetimeve për ndërtime pa leje dhe falsifikime
Gjykata e Apelit ka vendosur ashpërsimin e masave të sigurisë për disa ish-zyrtarë të përfshirë në çështjen e legalizimeve të dyshimta dhe ndërtimeve pa leje në zonën e Ranës së Hedhun, në Shëngjin. Vendimi vjen pas ankimit të prokurorisë dhe lidhet me një kompleks të ndërtuar pa leje, i cili më pas është legalizuar në kundërshtim me ligjin.
Ish-drejtori i Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Gentian Malotaj, si edhe ish-drejtuesit e sektorit të legalizimeve, Artmir Maxhuni dhe Artur Shabaku, do të qëndrojnë në arrest në burg, nën akuzën për shpërdorim detyre.
Ndërkohë, inxhinierët Luiza Bala dhe Hekuran Xhina, të cilët më herët ishin lënë në detyrim paraqitjeje dhe ndalim të daljes jashtë vendit, janë vendosur në arrest shtëpie për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve. Për ish-drejtuesit e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, Flori Gjini dhe Kol Malaj, masat e sigurisë mbeten të pandryshuara.
Po ashtu, Pjetër Tuçi, i akuzuar për ndërtim të paligjshëm, do të vijojë të qëndrojë në arrest shtëpie.
Ashpërsimi i masave u kërkua nga prokurorja Iva Harka, e cila ankimoi vendimin e mëparshëm të Gjykatës së Lezhës. Sipas hetimeve të Prokuroria e Lezhës, në kuadër të procedimit penal nr. 135/2025, të dyshuarit kanë kryer ndërtime pa leje dhe më pas kanë ndërhyrë për t’i legalizuar në mënyrë të paligjshme, duke shkelur rëndë ligjin dhe procedurat administrative.
