
Hamas pranon pikat kryesore të planit të paqes së Trump dhe shpreh gatishmëri për negociata, ndërsa Izraeli ul intensitetin e sulmeve në Gaza.
Presidenti amerikan Donald Trump i ka kërkuar Izraelit të ndalojë menjëherë sulmet ajrore në Gaza, pasi Hamas pranoi pjesë të planit të tij 20-pikësh për paqe. Trump deklaroi se grupi palestinez është gati për një paqe të qëndrueshme, ndërsa Izraeli nisi zbatimin e fazës së parë të planit.
Në deklaratën e tij, Hamas pranon armëpushimin e menjëhershëm, lirimin e pengjeve dhe të burgosurve, hyrjen e ndihmave humanitare dhe formimin e një qeverie teknokratësh palestinezë, por kërkon bisedime të reja për çarmatimin dhe refuzon “Bordin e Paqes”, të propozuar nga Trump dhe Tony Blair.
“Kurrë nuk do të pranojmë që të huajt të kontrollojnë palestinezët,” -tha zyrtari i lartë Musa Abu Marzouk.
Bombardimet janë zbutur ndjeshëm në enklavën e shkatërruar, me shenja të një ndalese të afërt.
Katar, Egjipti dhe OKB e mirëpritën përgjigjen e Hamasit, ndërsa Sekretari i Përgjithshëm Antonio Guterres e cilësoi atë si “një dritare reale për t’i dhënë fund tragjedisë në Gaza”.
Megjithatë, 66 mijë palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, kanë humbur jetën që prej tetorit 2023.