
Pas disa muajsh në paraburgim, ish-administratori i kompanisë Bankers Petroleum, Leonidha Çobo, do ta vijojë hetimin në kushtet e arrestit shtëpiak me vendim të Gjykatës së Posaçme.
Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur ndryshimin e masës së sigurisë për Leonidha Çobon, ish-administrator i Bankers Petroleum, i cili deri më sot ndodhej në burg. Vendimi është marrë nga gjyqtari Erjon Çela në seancën e zhvilluar këtë të martë.
Megjithëse arsyet zyrtare të vendimit nuk janë bërë publike, burime pranë procesit gjyqësor bëjnë të ditur se mbrojtja e Çobos ka paraqitur kërkesë për ndryshimin e masës me argumentin se janë përmbushur kushtet ligjore dhe se hetimet kanë përfunduar në pjesën më të madhe.
Çobo u arrestua disa muaj më parë, së bashku me disa zyrtarë të tjerë të kompanisë, pas një hetimi të nisur nga Prokuroria e Fierit, që çoi në lëshimin e 14 urdhrave të arrestit. Sipas akuzës, hetimi kishte zbuluar një skemë të dyshuar mashtrimi me TVSH dhe evazion fiskal, që përfshinte shuma të mëdha parash, me vlerë prej qindra milionë eurosh.
Dosja u transferua më pas në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), e cila u shpall kompetente për ndjekjen e mëtejshme të hetimeve, për shkak të përfshirjes së disa funksionarëve të lartë dhe natyrës së veprave penale të dyshuara.
