Sot, Adriatik Lapaj bëri një ftesë publike ndaj “Lëvizjes Bashkë” për t’u bashkuar në protestën që ai do të organizojë nesër përballë Kryeministrisë.
I ftuar në Report TV, deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, ka refuzuar thirrjen e Lapajt, duke theksuar se çdo përpjekje për bashkëpunim shkon në favor të Sali Berishës. Muçi u shpreh se mosbashkëpunimi me Berishën është një “kriter i panegociueshëm” për Lëvizjen Bashkë.
“Çdo thirrje për bashkëpunim është në favor të Sali Berishës. Atij dhe Partisë Demokratike u mungon legjitimiteti moral, dhe pa këtë legjitimitet, protestat nuk kanë efekt. Edi Rama i trajton protestat e Berishës me humor dhe ironi”, deklaroi Muçi, duke kujtuar gjithashtu se Berisha ndodhet nën hetim nga SPAK.
Deputeti gjithashtu përmendi përplasjet e mëparshme të Lapajt me Endri Shabanin, tani Avokat Populli, gjatë zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025, si një arsye shtesë për mosbashkëpunimin mes dy lëvizjeve të reja.
“Pse nuk bashkëpunojmë me Adriatik Lapajn? Nëse ne do të kishim pranuar dorën e tyre të shtrirë, do të kishim përfunduar në atë pikë ku hallat dhe tezet tona do të ishin të përfshira në mosmarrëveshje me dajon e Shabanit dhe tezen e Adriatikut,” tha Muçi, duke nënvizuar tensionet e së shkuarës si faktor vendimtar në qëndrimin e Lëvizjes Bashkë.
