Ish-ministri i Qeverisë Kurti pritet të udhëheqë transformimin e një prej nyjeve kryesore tregtare të Shqipërisë
Ish-ministri i Infrastrukturës së Kosovës dhe një nga figurat më të njohura të Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu, është emëruar Drejtor i ri i Portit të Durrësit. Vendimi është marrë nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, që i ka besuar Aliut drejtimin e qendrës më të rëndësishme detare dhe logjistike të vendit.
Emërimi i tij vjen vetëm pak javë pas largimit nga kabineti i Albin Kurtit, ku Aliu kishte shërbyer për më shumë se katër vjet si ministër dhe një nga figurat më të afërta të kryeministrit kosovar. Gjatë mandatit të tij, ai u njoh për promovimin e reformave në transport, planifikim urban dhe projekte të infrastrukturës rajonale.
Në Durrës, Aliu pritet të përballet me sfida të mëdha që lidhen me modernizimin e portit, rritjen e kapaciteteve logjistike dhe bashkërendimin me projektet strategjike që lidhen me Korridorin Adriatiko-Jonian dhe investimet e huaja në zonën portuale.
Burime pranë ministrisë bëjnë të ditur se synimi kryesor është rritja e efikasitetit operacional dhe transparencës në administrimin e portit, duke e shndërruar atë në një qendër konkurruese në rajon.
Liburn Aliu zëvendëson në këtë post Kreshnik Bajraktarin, i cili e kishte drejtuar Portin e Durrësit që prej korrikut 2024.
