Nga Edi Rama që e mban në dorën e djathtë, tek Erion Veliaj që e ka ndërruar disa herë dorën, e deri te Ogerta Manastirliu që e shfaq shpesh në kyçin e majtë; lidhësja e kuqe, më shumë se një aksesor, duket të jetë kthyer në një simbol të heshtur që bashkon tre figurat.
Një fill i kuq i hollë, pothuaj i padukshëm, ka filluar të lidhë figurat më të fuqishme të pushtetit në Tiranë. Edi Rama në të djathtën, Erion Veliaj në të majtën, Ogerta Manastirliu në mënyrë të pandarë, si në një rit të heshtur ku çdo nyje mund të fshehë një mesazh të koduar.
Në një vend ku politika shpesh flet me simbole dhe hesht me qëllim, një detaj i vogël ka marrë kuptime që shkojnë përtej pamjes. Në çdo dalje publike, një fill i kuq rrethon kyçet e dorës së Edi Ramës, Erion Veliajt dhe Ogerta Manastirliut. I thjeshtë në dukje, por me peshë të padukshme, një lidhëse që për shumëkënd nuk është më aksesor, por një mënyrë për të komunikuar në heshtje, për të dërguar sinjale që vetëm një rreth i ngushtë mund t’i deshifrojë.
Edi Rama e mban në dorën e djathtë, gjithnjë i kujdesshëm me simbolikën dhe gjuhën e trupit, si për të përcjellë idenë e vazhdimësisë së kontrollit, të një pushteti që buron nga e djathta e vet, nga dora që firmos, që drejton, që mban. Përkundër tij, Erion Veliaj e ka lidhur në të majtën, dorën që përfaqëson zemrën, ndjenjën, por edhe rebelimin. Një gjest që disa e kanë lexuar si sfidë të heshtur, si përpjekje për të treguar se edhe pse i goditur, ai mbetet pjesë e rrjetit, i lidhur me fillin që ushqen qendrën.
Në pamje të tjera, Veliaj është parë ta ketë ndërruar anën, si për të treguar lëvizje, si për të përshtatur mesazhin në varësi të rrethanave. Dhe në këtë ndërrim, në këtë lojë të vogël të dorës, shumëkush sheh përpjekjen e tij për të hyrë në të njëjtën gjuhë simbolike me kryeministrin, për ta ndarë pushtetin jo me fjalë, por me shenja.
Ndërkaq, Ogerta Manastirliu, më e heshtura e të treve, e mban lidhësen në dorën e majtë, si një pjesë e pandarë e imazhit të saj publik. Për disa, ajo është “mbajtësja e mesazhit”, hallka që lidh të padukshmen, zemrën, ndjenjën pushtetin shpirtëror me atë administrativ, si dikur murgjit që nëpër kimonot e tyre fshihnin shenja, kode, fjalë të fshehta për t’u përcjellë mesazhe perandorëve.
Sipas traditave të lashta lindore dhe besimit Kabbalah, filli i kuq përbëhet nga shtatë nyje; shtatë porta përmes të cilave kalon energjia dhe mendimi. Në çdo nyje fshihet një dëshirë, një lutje, një betim. Disa prej tyre lidhen për mbrojtje, disa për fat, disa për lidhje të përjetshme. Në këtë rast, thuhet se lidhëset e kuqe të Ramës, Veliajt dhe Manastirliut janë si kodet e pushtetit të tyre, të ngjitura si fije të njëjta, që mbajnë të bashkuar edhe kur fjala ndahet.
Ngjyra e kuqe, që dikur lidhej me gjakun, me mbretërinë e të gjallëve dhe të vdekurve, sot përfaqëson energjinë e pushtetit modern, paralajmërim, pasion, rrezik dhe besnikëri. Në traditat mistike, ajo nuk është thjesht ngjyrë, por frekuencë; dhe çdo frekuencë, thonë, ka një adresë.
Në një Shqipëri ku gjithçka lexohet mes rreshtave, ku fjalët shuhen por shenjat mbeten, lidhësja e kuqe është bërë gjuha e re e pushtetit. Si dikur mesazhet e fshehta në pëlhurat e samurajëve, sot ajo flet pa folur: një gjuhë që nuk shkruhet, por lidhet. Një mënyrë për të treguar se edhe brenda përplasjeve, edhe mes dyshimeve, ekziston një fill i padukshëm që mban gjithçka bashkë.
Në fund, ndoshta nuk është rastësi që ky fill i kuq shfaqet në duart e tre figurave që përfaqësojnë tre shtylla të sistemit; kontrollin, administrimin dhe përfaqësimin. Ndoshta është besim, ndoshta është rit, ndoshta është një mënyrë për të thënë se pushteti nuk komunikon vetëm me fjalë, por edhe me shenja. Dhe lidhësja e kuqe, sot, duket të jetë shenja më e heshtur dhe më e fortë e këtij pushteti.
