
Ngjarja tronditëse ndodhi në Lincolnshire, autoritetet konfirmojnë se në karrocë nuk ndodhej fëmijë
Policia britanike ka nisur një hetim intensiv për identifikimin e një gruaje që dyshohet se ka shtyrë qëllimisht një karrocë foshnje në rrugën e një kamioni në lëvizje. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në aksin A16, pranë kryqëzimit me Middlegate Road West, në zonën Kirton të Lincolnshire.
Sipas dëshmitarëve, pas përplasjes së kamionit me karrocën, një objekt i bardhë ose rozë u hodh në ajër, duke krijuar frikën se bëhej fjalë për një foshnjë. Në vendngjarje mbërritën menjëherë policia dhe shërbimet mjekësore, ndërsa u përdorën edhe dronë për kontrolle në zonë.
Pas kërkimeve të shumta, autoritetet konfirmuan se në karrocë nuk ndodhej asnjë fëmijë dhe se vetë karroca nuk u gjet në vendin e aksidentit. Drejtuesi i kamionit është identifikuar dhe është marrë në pyetje nga policia.
Gruaja e dyshuar përshkruhet si rreth të njëzetave, e veshur me një xhaketë kafe deri në gju dhe pantallona. Dyshohet se ajo po ecte përgjatë Middlegate Road West dhe u përpoq të kalonte rrugën drejt Middlegate Road East.
Policia apelon për ndihmën e qytetarëve që mund të kenë qenë dëshmitarë të incidentit ose që disponojnë pamje nga kamera sigurie apo kamera makinash. Autoritetet theksojnë se janë të shqetësuar edhe për gjendjen shëndetësore dhe psikologjike të gruas së përfshirë.
