
Senatori republikan thotë se ka çdo tregues se represioni është ende në kulm, ndërsa Tramp pohon se vrasjet janë ndalur
Senatori republikan amerikan Lindsey Graham ka dalë hapur kundër deklaratave të presidentit Donald Tramp lidhur me situatën në Iran, duke deklaruar se vrasjet e protestuesve vazhdojnë dhe se bilanci i viktimave po rritet nga ora në orë.
Në një postim në rrjetin X, Graham u shpreh se ka çdo tregues që dhuna ndaj protestuesve është ende shumë aktive, duke shtuar se shpreson që ndihma të jetë rrugës. Senatori nga Karolina e Jugut ka qenë një nga zërat më të fortë në mbështetje të goditjeve ushtarake amerikane kundër regjimit iranian dhe më herët ka deklaruar se Trump do të urdhëronte eliminimin e udhëheqësve të regjimit nëse vrasjet nuk ndaleshin.
Deklarata e tij vjen vetëm disa orë pasi Tramp tha se ishte informuar se vrasjet në Iran po ndaleshin dhe se nuk kishte plane për ekzekutime, duke theksuar se këto informacione i kishte marrë nga burime të besueshme.
Sipas Newsweek, Tramp duket se ka pezulluar për momentin lëvizjet drejt një sulmi ndaj Iranit, pasi më herët kishte inkurajuar protestuesit të merrnin kontrollin e institucioneve shtetërore dhe kishte deklaruar se ndihma ishte në rrugë. Presidenti amerikan kishte paralajmëruar veprime shumë të forta nëse vrasjet e protestuesve do të vazhdonin, përfshirë edhe ekzekutimet.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara kanë tërhequr personelin jo thelbësor nga baza ajrore Al Udeid në Katar, e cila konsiderohet objektiv i mundshëm në rast hakmarrjeje iraniane. Paralelisht, disa vende aleate u kanë kërkuar qytetarëve të tyre të largohen menjëherë nga Irani.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, ka paralajmëruar SHBA-në në një intervistë për Fox News që të mos përsërisë gabimet e mëparshme, duke thënë se çdo përpjekje e dështuar do të sjellë të njëjtin rezultat si më parë.
Agjencia amerikane Human Rights Activist Agency ka konfirmuar deri tani vdekjen e të paktën 2 615 personave, shumica dërrmuese protestues, ndërsa mbi 18 470 persona janë arrestuar. Sipas organizatës, autoritetet iraniane po shtyjnë përpara gjyqe të përshpejtuara, përfshirë edhe dënime me vdekje për persona të akuzuar për dhunë ose bashkëpunim me fuqi të huaja, akuza që regjimi i Teheranit i mohon duke fajësuar grupe të huaja.
Ndërkohë, fati i protestuesit Erfan Soltani, 26 vjeç, ka marrë një sqarim zyrtar. Familja e tij kishte frikë se ai ishte dënuar me vdekje në një proces të mbyllur, por mediat shtetërore iraniane kanë bërë të ditur se Soltani nuk përballet me dënim kapital dhe se ndodhet i ndaluar në një burg në Karaj.
Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, ka deklaruar se elita e pasur e regjimit iranian po nxjerr jashtë vendit dhjetëra miliona dollarë, duke u përpjekur të shpëtojë pasuritë e saj. Ai theksoi se SHBA do të ndjekë gjurmët e këtyre fondeve dhe se ato nuk do të mbeten të sigurta jashtë Iranit.
