
Në kampin zikaltër ka filluar të ndihet presioni nga Premier League. Sipas raportimeve të “Il Giorno”, Liverpool po përgatit një ofertë që mund të tejkalojë shifrën e 100 milionë eurove për të siguruar shërbimet e mbrojtësit Alessandro Bastoni.
Interi e konsideron qendërmbrojtësin si pjesë të pandashme të projektit teknik dhe sportiv. Bastoni është një nga shtyllat e mbrojtjes së skuadrës së Simone Inzaghit dhe ka rinovuar kontratën deri në verën e vitit 2028, me një pagë që llogaritet rreth 5.5 milionë euro në sezon. Për këtë arsye, klubi italian e ka bërë të qartë se lojtari ështëi pashitshëm.
Megjithatë, situata mund të ndryshojë nëse Liverpool paraqet formalisht një ofertë rekord. Kampionët në fuqi të Anglisë po përballen me probleme të theksuara në prapavijë dhe e shohin Bastonin si profilin ideal për të rikthyer balancën dhe sigurinë në mbrojtje.
Oferta prej mbi 100 milionë eurosh do të ishte ndër më të mëdhatë e historisë së klubit anglez dhe një tundim i madh financiar për Interin, që mund ta detyrojë drejtuesit e klubit të rishqyrtojnë qëndrimin e tyre.
Për momentin, zyrtarisht Interi mbyll dyert. Por merkato ka treguar se asgjë nuk është e sigurt kur në tryezë vendosen shifra të tilla.
