
Qeveria britanike planifikon që vizitorët që qëndrojnë në hotele dhe Airbnb të paguajnë një tarifë të veçantë, ndërsa industria e mikpritjes paralajmëron rënie të vizitorëve
Qeveria britanike po përgatitet të vendosë një taksë të re për turistët që kalojnë natën në Londër, një masë që pritet të hyjë në fuqi para sezonit të festave të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri. Sipas mediave britanike, kancelarja Reeves po përgatit t’i japë kryebashkiakëve kompetencën për të vendosur këtë tarifë në qytetet e tyre.
Sipas të dhënave të BBC-së, taksa e propozuar mund të gjenerojë deri në 240 milionë paund në vit, bazuar në një vlerësim të fundit ku thuhet se Londra regjistron rreth 90 milionë qëndrime turistike gjatë vitit. Aktualisht, Anglia është ndër vendet e vetme të G7 ku qeveria qendrore i ndalon bashkitë të aplikojnë tarifa turistike, ndryshe nga qytete të mëdha si Parisi, Munihu, Milano, Toronto, New Yorku apo Tokio që tashmë kanë skema të tilla.
Një raport i Centre for Cities për Greater London Authority thekson se Londra mund të përfitojë ndjeshëm nga kjo masë, por gjithashtu paralajmëron se tarifat shumë të larta mund të shkaktojnë rënie të vizitorëve.
Industria britanike e mikpritjes e ka kundërshtuar ashpër idenë. Kate Nicholls, drejtuesja e UK Hospitality, paralajmëron se kjo taksë do të ndikojë drejtpërdrejt te familjet britanike që vizitojnë Londrën, por edhe te bizneset që mbështeten tek turistët dhe ngjarjet kulturore. Ajo thekson se konsumatorët tashmë paguajnë taksa të larta, përfshirë TVSH-në 20 për qind, dhe se kjo tarifë e re do të dëmtojë më tej industrinë.
Nga ana tjetër, zyra e kryebashkiakut Sadiq Khan shprehet se një tarifë modeste, e ngjashme me qytetet kryesore të G7, do të sillte të ardhura të rëndësishme për investime në transport dhe shërbime publike, duke forcuar rolin e Londrës si destinacion global.
Nisma vjen në një periudhë ku kryeqyteti britanik pret miliona vizitorë për festat e fundvitit, periudhë që konsiderohet një ndër më të ngarkuarat për turizmin dhe sektorin e mikpritjes. Edhe pse taksa synon të krijojë të ardhura të reja për autoritetet lokale, ajo vlerësohet se mund të vendosë presion të shtuar mbi industrinë e hotelerisë, e cila tashmë përballet me kosto të larta dhe mungesë force punëtore.
