
Deputeti demokrat distancohet nga dhuna, por thotë se partia ka kapacitete për protesta më të forta
Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, ka komentuar protestën e dytë të zhvilluar nga opozita para Kryeministrisë, të cilën Sali Berisha e ka cilësuar si foltoren e dytë të demokratëve. Boçi tha se PD po mban një qëndrim të përgjegjshëm, por theksoi se partia ka kapacitete të mjaftueshme njerëzore dhe organizative për të rritur nivelin e reagimit nëse situata e kërkon.
Ai solli në vëmendje protestën e 21 janarit, duke nënvizuar se rruga e demokratëve drejt pushtetit nuk do të kalojë mbi viktima. Sipas tij, PD nuk përdor retorikë që nxit dhunë apo emocione të rrezikshme, por kjo nuk duhet interpretuar si mungesë force apo mundësie për të ndërmarrë veprime më të ashpra.
Boçi tha se deklaratat e tipit do hyjmë në Kryeministri apo do e marrim Ramën zvarrë janë përgjegjësi politike që duhet menaxhuar me kujdes, duke shtuar se qëndrimi i deritanishëm i PD është zgjedhje e vetëdijshme për të shmangur destabilitetin.
