 
        Pas eksperiencave të suksesshme me Napolin dhe Kombëtaren italiane, Luciano Spalletti emërohet trajneri i ri i Juventusit, me misionin për t’i rikthyer bardhezinjtë në majën e futbollit italian dhe europian.
Klubi i Juventusit ka zyrtarizuar sot emërimin e Luciano Spallettit si trajner të ri të skuadrës, duke konfirmuar se ai ka nënshkruar një kontratë që do ta mbajë në stolin e Allianz Stadium deri më 30 qershor 2026.
I lindur në Certaldo të Firences në vitin 1959, Spalletti është një nga emrat më me përvojë në pankinat italiane. Me mbi 30 vite karrierë, ai ka drejtuar klube të njohura si Empoli, Udinese, Roma, Inter, Zenit St. Petersburg dhe Napoli, duke fituar trofe të rëndësishëm në Itali dhe jashtë saj.
Spalletti u bë i njohur fillimisht te Empoli, ku arriti ta ngjiste klubin nga Serie C në Serie A, përpara se të spikaste te Udinese, duke i dhënë për herë të parë klubit kualifikimin historik në Champions League në sezonin 2004/05.
Më pas, te Roma ai fitoi dy Kupa të Italisë dhe një Superkupë, ndërsa me Zenit St. Petersburg u shpall dy herë kampion i Rusisë, duke fituar gjithashtu Kupën dhe Superkupën e vendit.
Në vitin 2022/23, Spalletti udhëhoqi Napolin drejt një suksesi historik, titullit kampion të Serie A pas më shumë se tri dekadash, duke u vlerësuar për futbollin e tij ofensiv dhe filozofinë moderne të lojës.
Pas një periudhe të shkurtër në krye të Kombëtares italiane, tekniku toskan rikthehet në Serie A për të marrë një tjetër sfidë të madhe.
Në njoftimin zyrtar, Juventusi shkruan:
Jemi të lumtur të mirëpresim një trajner me përvojë, vizion dhe mentalitet fitues si Luciano Spalletti. Mirë se erdhe në familjen bardhezi dhe shumë suksese, mister!
Me emërimin e tij, tifozët bardhezi shpresojnë të rikthejnë lavdinë e humbur dhe të rishohin Juventusin si protagonist në garën për titullin kampion dhe në arenën europiane.

 
         
         
         
         
         
        