
Kremlini provokon NATO-n me sulme ajrore hibride, ndërsa lufta në Ukrainë vazhdon
Një tjetër dimension i luftës ka dalë në pah në frontin evropian: përdorimi i dronëve. Nga Ukraina në Lindjen e Mesme, këta aeroplanë pa pilot kanë ndryshuar artin e luftës, por Rusia i përdor tashmë edhe për “luftë hibride”, më të padukshme, por jo më pak të rrezikshme.
Vladimir Putin nuk duket se kërkon të zgjerojë konfliktin në gjithë kontinentin, por synon të intimidojë aleatët e Kievit. Kohët e fundit, përveç valëve të mëdha me qindra dronë kundër Ukrainës, Kremlini ka dërguar disa prej tyre në hapësirën ajrore të NATO-s, madje deri mbi aeroportin e Kopenhagës, ku më 1 tetor u mblodhën liderët evropianë për të diskutuar pikërisht këtë kërcënim.
Ky veprim, i kufizuar në shkallë por potencialisht i rëndë, i shërben qëllimit të Kremlinit: të provokojë dhe të trembë anëtarët e NATO-s, pa shkaktuar një përshkallëzim të pakontrollueshëm. Në një kohë kur ushtria ruse ngec në fushën e betejës në Ukrainë, Putini përdor sfidën e tij si armë politike për të rritur presionin mbi Perëndimin dhe për të vënë në dyshim vendosmërinë e mbështetjes për Kievin.