
Pavarësisht baltës së vjeshtës që frenon tanket, Rusia ruan ritmin e ofensivës, duke synuar më shumë asgjësimin e ushtrisë ukrainase sesa fitimin e territorit.
Me afrimin e shirave të vjeshtës dhe terrenit të mbuluar nga balta, ofensiva ruse në Ukrainë po tregon shenja ngadalësimi, por jo ndalese. Sipas një raporti të fundit të Institutit Amerikan për Studimin e Luftës (ISW), ushtria ruse ka pushtuar 447 kilometra katrorë territor gjatë muajit shtator, kundrejt 634 në korrik dhe 594 në gusht.
Pavarësisht rënies së përkohshme të ritmit, Moska ka përparuar më shumë gjatë 12 muajve të fundit sesa në të gjithë vitin paraprak. Sipas ISW-së, periudha tetor 2024 – shtator 2025 ka shënuar një trefishim të territorit të pushtuar nga Rusia në krahasim me vitin e mëparshëm.
Ky ngadalësim lidhet me fenomenin e njohur si “Raspoutitsa”, kur reshjet e dendura e kthejnë terrenin në baltë, duke e bërë pothuajse të pamundur lëvizjen e tankeve dhe artilerisë së rëndë.
Ekspertët ushtarakë theksojnë se qëllimi kryesor i Kremlinit nuk është më marrja e territoreve të reja, por shkatërrimi sistematik i forcave të armatosura ukrainase. “Linja e frontit nuk është më një vijë e qartë me llogore, por një brez i gjerë përplasjesh ku çdo kilometër kërkon humbje të mëdha njerëzore”, -shkruan raporti.
Ndërkohë që Ukraina përballet me mungesë municionesh dhe vonesa në ndihmën perëndimore, Rusia po përfiton nga avantazhi logjistik dhe nga disiplina e forcave të saj të rinovuara. Megjithatë, analistët theksojnë se dimri që po afron do ta vështirësojë ndjeshëm çdo avancim të madh rus, duke hapur një periudhë stagnimi të gjatë në front.