
Rivaliteti i dy repereve i kalon kufijtë e muzikës dhe ndez debate mbi etikën, në rrjetet sociale
Armiqësia mes dy ikonave të rap-it amerikan, Nicki Minaj dhe Cardi B, është rikthyer me forcë pas disa muajsh qetësie. Prej ditësh, dy artistet po shkëmbejnë akuza dhe “diss”-e publike në rrjetet sociale, duke e çuar rivalitetin përtej skenës muzikore.
Sipas mediave ndërkombëtare, tensioni ka marrë një kthesë të ashpër pasi Nicki Minaj publikoi një mesazh ofendues ndaj vajzës 7-vjeçare të Cardi B, Kulture, duke e quajtur atë “buburrec” dhe “majmun”. Postimi shkaktoi reagime të fuqishme dhe kritika të shumta ndaj Minajt, e cila akuzohet se po përfshin fëmijë në konfliktet personale.
Cardi B reagoi menjëherë, duke mbrojtur vajzën e saj dhe duke e quajtur veprimin e rivales një shenjë të qartë xhelozie dhe urrejtjeje. “Kulture është e bukur, dhe askush nuk ka të drejtë të sulmojë fëmijët,” – tha ajo, duke e akuzuar Nickin për manipulim të rivalitetit për të tërhequr vëmendje.
Kjo përplasje e re ka ndezur debat publik mbi kufijtë e rivalitetit në industrinë e muzikës dhe etikën e sjelljes në rrjetet sociale, sidomos kur në mes futen fëmijë. Deri tani, asnjëra palë nuk ka kërkuar falje, ndërsa fansat e tyre vijojnë të përplasen online, duke e mbajtur çështjen në qendër të vëmendjes.