
Luana Vjollca, një nga figurat më të ndjekura dhe më dinamike të showbizit shqiptar, prej muajsh qëndron larg ekranit, ndërsa ndjekësit e saj pyesin vazhdimisht për rikthimin e saj televiziv.
Pas suksesit të “Ferma VIP”, ku ajo debutoi si moderatore e një reality show, Luana nuk ka marrë pjesë në asnjë projekt televiziv të ri, pavarësisht se prej më shumë se një viti ka përgatitur një format origjinal që nuk ka gjetur ende dritën jeshile në asnjë stacion.
Burime pranë produksioneve televizive tregojnë se gjatë vitit të kaluar janë zhvilluar bisedime me Top Channel për një bashkëpunim të ri, por ato nuk përfunduan me marrëveshje, duke e lënë projektin në pritje.
Së fundmi, Luana ka dorëzuar zyrtarisht një platformë pranë RTSH-së për të moderuar Festivalin e Këngës, një nga evenimentet më prestigjioze të muzikës shqiptare. Sipas burimeve, propozimi i saj ndodhet në shqyrtim nga Drejtoria e Përgjithshme e RTSH, por ende nuk është marrë një vendim përfundimtar.
Ndërkohë, në garë për këtë pozicion ndodhet edhe Arbana Osmani, e cila ka paraqitur një projekt të sajin për të qenë pjesë e festivalit. Kjo pritet të rikthejë konkurrencën e drejtpërdrejtë mes dy figurave më të njohura të ekraneve shqiptare.
Në krahun tjetër, autorja Zefina Hasani ka refuzuar ftesën për t’u përfshirë në këtë edicion për shkak të angazhimeve të tjera, ndërsa gazetari Ervin Kurti përmendet si një nga emrat që mund të marrë rolin e autorit të festivalit.
Për momentin, Luana duket më e përqendruar në sipërmarrje dhe projekte personale, ndërsa fansat presin nëse kjo do të shënojë fundin e një pauze televizive apo fillimin e një kapitulli të ri në RTSH.