
Analiza e re e International Coffee Organization tregon se në këtë shtet pihen mesatarisht mbi 5 filxhanë kafe në ditë për person, duke lënë pas Finlandën dhe Suedinë.
Luksemburgu kryeson listën botërore të konsumit të kafes për frymë, sipas një analize të publikuar nga International Coffee Organization (ICO). Në bazë të të dhënave të reja, një banor i Luksemburgut konsumon rreth 118,227 filxhanë kafe gjatë jetës, që i bie mesatarisht 5.31 filxhanë në ditë. Në vend të dytë renditet Finlanda me 3.77 filxhanë, ndërsa Suedia mban vendin e tretë me 2.59 filxhanë në ditë.
Interesant është fakti se top-10 vendet me konsum më të lartë të kafes janë të gjitha shtete evropiane.
Megjithatë, Luksemburgu nuk është më i shtrenjti sa i përket çmimit të një filxhani kafe. Me një mesatare prej 3.09 euro për filxhan, ai renditet në vend të 9-të. Danimarka kryeson listën e çmimeve me 4.64 euro për filxhan, e ndjekur nga Zvicra me 4.29 euro dhe SHBA me 4.03 euro.
Sipas studimit, konsumimi mesatar i kafes në Luksemburg arrin në 20.53 kilogramë në vit për person – shumë më lart se Finlanda me 14.58 kilogramë për frymë.
Ekspertët paralajmërojnë se rezultatet duhen parë me kujdes, pasi statistikat llogarisin vetëm raportin me numrin e banorëve. Në realitet, një pjesë e konsiderueshme e kafes konsumohet edhe nga qytetarë të zonave kufitare që e blejnë në Luksemburg për shkak të çmimeve më të ulëta, si dhe nga punëtorët që udhëtojnë çdo ditë për punë në vend.
Ndërkohë, vendet prodhuese të famshme për kafenë e tyre, si India, Uganda dhe Peruja, renditen në fund të listës, me mesatarisht vetëm 0.06 deri në 0.44 kilogramë kafe për person në vit.
