
Simbolika e luleve të kuqe dhe momentet e heshtura kthyen ceremoninë në një homazh të thellë për të rënët e luftës.
Ceremonia kombëtare e përkujtimit në Cenotaph, Londër, u mbajt sot nën një atmosferë solemniteti dhe reflektimi të thellë. Princja e Uellsit, Kate Middleton, e shoqëruar nga Mbretëresha Camilla, u shfaqën në ballkonin e Ministrisë së Jashtme, duke ndjekur nga lart homazhet që mbretëria u bëri viktimave të luftërave.
Katër udhëheqësit kryesorë të familjes mbretërore, Mbret Charles, Princi William, dhe Princi Edward, vendosën kurorat me lule në memorial, ndërsa turma e mbledhur mbajti dy minuta heshtje. Në atë moment, kamerat kapën Kate Middletonin duke ngritur lehtë dorën drejt fytyrës, një gjest që u interpretua si përpjekje për të kontrolluar emocionet.
Simbolika e lulëkuqeve që të dyja mbartnin tërhoqi vëmendje të veçantë. Princja Kate kishte vendosur një lule të vetme të kuqe në jakë, ndërsa Mbretëresha Camilla mbante një brosh të përbërë nga tre lule. Lulëkuqja, simbol i përkujtimit të ushtarëve të rënë, konsiderohet thelbësore në ceremonitë përkujtimore britanike, dhe shpesh numri i luleve përçon një mesazh të heshtur.
Kate Middleton ka një lidhje personale me këtë traditë. Gjyshja e saj e madhe humbi tre vëllezër gjatë Luftës së Parë Botërore, një histori që princesha e ka hulumtuar vetë gjatë një vizite në Muzeun Imperial të Luftës, ku preku me duar letrat dhe dokumentet e trashëguara nga familja.
Mbretëresha Elizabeth II, para se të ndahej nga jeta, kishte përdorur shpesh një brosh me pesë lulëkuqe, që besohet të ketë simbolizuar pesë degët e Forcave të Armatosura të Mbretërisë.
Sot, një gjest i thjeshtë: një dorë drejt syrit, një brosh i vendosur me kujdes, një ngritje koke në heshtje, folën më shumë sesa fjalët.
Ceremonia e Cenotaph mbetet një prej momenteve më të thella të identitetit britanik: kujtesë, sakrificë dhe mirënjohje.
