 
        Ish-kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, është paraqitur pasditen e sotme në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), duke refuzuar t’u japë përgjigje mediave pas daljes nga godina. Gazetarja Klodiana Lala ka zbuluar në emisionin “Të Paekspozuarit” se thirrja e Bashës lidhet drejtpërdrejt me hetimet për vrasjen e Aleks Nikës, një nga protestuesit e 21 Janarit 2011.
Sipas Lalës, Basha është ftuar nga prokurori Alfred Shehu si person që ka dijeni mbi ngjarjen, pasi në atë kohë mbante detyrën e ministrit të Brendshëm. Hetimet e SPAK, të regjistruara që prej vitit 2024, po synojnë zbardhjen e plotë të katër vrasjeve të asaj dite, përfshirë edhe ato të Ziver Veizit, Faik Myrtajt, Hekuran Dedës dhe Aleks Nikës.
E veja e Nikës ka kërkuar zyrtarisht që të hetohen ish-zyrtarët e përfshirë në ngjarje, çka ka detyruar SPAK të rikthejë dosjen e lënë pezull prej vitesh. Një nga pistat e reja të hetimit lidhet me komunikimet në radio gjatë protestës dhe me predhën që iu hoq Aleks Nikës në Turqi, e cila pritet të analizohet sërish në një laborator të specializuar ndërkombëtar.
Sipas burimeve hetimore, nëse analiza përcakton armën nga ka dalë plumbi, dinamika e ngjarjes mund të ndryshojë plotësisht. Ndërkohë, janë kërkuar edhe pamjet e serverit të Kryeministrisë, që në atë kohë rezultuan të fshira, por mund të rikuperohen me teknologjitë e reja.
Klodiana Lala theksoi se dëshmia e Bashës është e rëndësishme për të sqaruar kush ndodhej në godinën e Kryeministrisë gjatë protestës, nëse ishte prezent edhe Sali Berisha, dhe mbi të gjitha, kush dha urdhrin për hapjen e zjarrit ndaj protestuesve.

 
         
         
         
         
        