
Presidenti francez kërkon më shumë autonomi strategjike për Evropën dhe më pak varësi nga SHBA dhe Kina
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka deklaruar se Parisi refuzon çdo formë të neo-kolonializmit dhe imperializmit të ri nga fuqitë e mëdha ndërkombëtare. Deklarata u bë gjatë fjalimit vjetor përpara ambasadorëve francezë në Paris, ku Macron paralajmëroi edhe kundër “vasalizimit” dhe “disfatizmit” përballë zhvillimeve globale.
Macron theksoi se rruga e ndjekur nga Franca dhe Europa është e drejtë, duke vënë në plan të parë rritjen e autonomisë strategjike dhe uljen e varësisë, si nga Shtetet e Bashkuara ashtu edhe nga Kina. Sipas tij, Evropa duhet të forcojë kapacitetet e veta politike, ekonomike dhe të sigurisë për të mbrojtur interesat e saj në një botë gjithnjë e më të fragmentuar.
Në planin ekonomik, presidenti francez bëri thirrje për një axhendë të përshpejtuar të “preferencës europiane” në tregti, duke kërkuar mbështetje më të fortë për prodhimin dhe zinxhirët e furnizimit brenda Bashkimit Europian.
Në të njëjtën kohë, Parisi pritet të votojë kundër marrëveshjes së tregtisë së lirë me Mercosur në Bruksel, edhe pse kjo do ta linte Francën në minorancë. Qeveria franceze ka bërë të ditur se qëndrimi përfundimtar do të shpallet nga kryeministri dhe presidenti, duke theksuar se, në formën aktuale, marrëveshja nuk konsiderohet ende e pranueshme.
Deklaratat e Macron sinjalizojnë një linjë të fortë politike të Francës për mbrojtjen e sovranitetit europian dhe përballjen me sfidat gjeopolitike, ekonomike dhe tregtare që po riformësojnë rendin ndërkombëtar.
