
Vizita e 17 nëntorit synon të forcojë angazhimin afatgjatë të Parisit në sigurinë e Kievit dhe bashkëpunimin në energji, ekonomi dhe mbrojtje.
Qendra e vendimmarrjes evropiane zhvendoset sërish në Paris, ku presidenti francez Emmanuel Macron do të presë të hënën, më 17 nëntor, presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky. Vizita, e nënta në Francë që prej nisjes së agresionit rus në vitin 2022, vjen në një moment kritik për sigurinë e Ukrainës dhe për konsolidimin e mbështetjes perëndimore.
Sipas Elizesë, takimi do të shërbejë për të riafirmuar mbështetjen e palëkundur të Francës ndaj Ukrainës në afat të gjatë, si dhe për të avancuar punën në kuadër të garancive të sigurisë që vendet aleate po koordinojnë për Kievin. Kjo nismë vjen si pjesë e një koalicioni shtetesh të gatshme të forcojnë mbrojtjen ukrainase, përballë agresionit në vazhdim.
Gjithashtu, dy liderët pritet të diskutojnë për thellimin e bashkëpunimit dypalësh në sektorët energjetik, ekonomik dhe atë të mbrojtjes. Franca është angazhuar vitet e fundit në projekte të rëndësishme energjetike dhe ushtarake me Ukrainën, ndërsa lufta ka shtuar nevojën për koordinim dhe mbështetje të vazhdueshme.
Vizita mbahet në një klimë të tensionuar, ku sulmet e fundit ruse dhe skandalet e brendshme në administratën ukrainase kanë vënë presion të shtuar mbi Zelensky-n dhe lidershipin e tij. Megjithatë, Parisi kërkon të tregojë se mbështetja për Ukrainën mbetet strategjike dhe afatgjatë.
