
Në një skenë ndërkombëtare gjithnjë e më kaotike, Emmanuel Macron përpiqet të ruajë rolin udhëheqës të Francës dhe të shtyjë përpara autonominë evropiane nga SHBA, edhe pse fuqia e tij politike brenda vendit është dobësuar
Presidenti francez Emmanuel Macron po e shndërron përballjen me presidentin amerikan Donald Tramp në një nga betejat e fundit madhore të mandatit të tij, në prag të vitit 2027. Sipas analizave politike në Paris, tensionet ndërkombëtare dhe paqëndrueshmëria globale po i japin Macron-it një hapësirë për të ruajtur peshën e tij në arenën botërore, pavarësisht dobësimit të pozicionit të tij në politikën e brendshme franceze.
Fjalimi i Macronit në Forumin Ekonomik Botëror në Davos u prit me entuziazëm në rrethet e Pallatit Elize, ku bashkëpunëtorët e tij e panë si një moment kthesë. Duke folur në anglisht, presidenti francez u bëri thirrje europianëve të mos jenë naivë përballë Trampit dhe të marrin më shumë përgjegjësi për fatin e tyre politik, ushtarak dhe ekonomik. Mesazhi i tij ishte i drejtpërdrejtë dhe sfidues, duke vënë përballë njëri-tjetrit respektin, shkencën dhe shtetin e së drejtës me brutalitetin dhe teoritë konspirative.
Reagimet pozitive nga disa kryeqytete evropiane e forcuan narrativën e një përballjeje të hapur Macron–Tramp, e cila u reflektua gjerësisht edhe në mediat ndërkombëtare. Në Paris, kjo u interpretua si një shenjë se Macron ende mund të luajë rolin e liderit evropian në një moment kur Bashkimi Europian po kërkon orientim të qartë strategjik.
Megjithatë, ambicia e Macronit për një autonomi reale evropiane nga Shtetet e Bashkuara mbetet larg përmbushjes. Ndërsa ai përpiqet të paraqitet si zëri i një Evrope më të pavarur dhe më të fortë, realiteti politik dhe ndarjet brenda vetë BE-së e bëjnë këtë objektiv të vështirë për t’u realizuar plotësisht.
Përballja me Trampin, më shumë sesa një konflikt personal, shihet si përpjekja e fundit e Macron-it për të lënë një trashëgimi politike në arenën ndërkombëtare, duke e pozicionuar veten si mbrojtës i rendit shumëpalësh dhe i një Evrope që nuk ndjek verbërisht linjën e Uashingtonit.
