Presidenti venezuelian flet për “një skenar pushtimi” nga administrata Trump, ndërsa ushtria nis stërvitje ushtarake për mbrojtjen e vijës bregdetare.
Presidenti i Venezuelës, Nicolás Maduro, ka akuzuar Shtetet e Bashkuara se po “fabricojnë një luftë” kundër tij, pasi aeroplanmbajtësja më e madhe në botë, USS Gerald R. Ford, po afrohet në ujërat e Karaibeve. Lëvizja e Uashingtonit shënon një përshkallëzim të ri të tensioneve mes dy vendeve, në një klimë ndërkombëtare tashmë të mbingarkuar nga krizat rajonale.
Në një fjalim televiziv të premten mbrëma, Maduro deklaroi se administrata e presidentit amerikan Donald Trump “po krijon një luftë të re të përjetshme”, duke e akuzuar për ndërhyrje të drejtpërdrejtë në punët e brendshme të Venezuelës. Sipas tij, pretendimet se ai drejton grupin kriminal Tren de Aragua janë të sajuara dhe kriminale.
“Po përpiqen të ndërtojnë një narrativë të rreme për të justifikuar agresionin. Venezuela nuk është vend i drogës dhe nuk prodhon asnjë gram gjethe kokaine,” tha Maduro, duke iu referuar akuzave amerikane për përfshirje në trafikun e narkotikëve.
Ndërkohë, ministri i Mbrojtjes Vladimir Padrino López njoftoi nisjen e një stërvitjeje ushtarake bregdetare që, sipas tij, ka për qëllim mbrojtjen e territorit nga kërcënimet e fshehta dhe operacionet e infiltrimit. Pamjet e transmetuara nga televizioni shtetëror treguan njësi ushtarake të vendosura në nëntë shtete bregdetare, si dhe milicë civilë të armatosur me raketa ruse Igla-S.
“CIA është kudo, por çdo përpjekje për destabilizim do të dështojë,” deklaroi ministri Padrino López.
Tensionet u shtuan edhe më tej pasi Maduro njoftoi se kishte nisur procedurat ligjore për heqjen e shtetësisë së opozitarit Leopoldo López, i cili prej vitit 2020 jeton në mërgim në Spanjë. López kishte shprehur publikisht mbështetje për praninë ushtarake amerikane në Karaibe, duke e cilësuar si të nevojshme për çlirimin e Venezuelës.
Në të njëjtën kohë, administrata Tramp ka vendosur sanksione ndaj presidentit të Kolumbisë, Gustavo Petro dhe disa anëtarëve të kabinetit të tij, duke e akuzuar për mbrojtje të grupeve kriminale dhe dështim në luftën kundër kokainës. Petro reagoi menjëherë, duke e cilësuar vendimin si shantazh politik dhe një akt armiqësor ndaj një shteti sovran.
Venezuela, e përfshirë në krizë të thellë ekonomike dhe politike, ndodhet sërish në qendër të vëmendjes ndërkombëtare, ndërsa retorika mes Karakasit dhe Uashingtonit po afrohet me tonet e një konflikti të hapur diplomatik dhe ushtarak.
