Ish-presidenti i rrëzuar i Venezuelës, Nicolas Maduro, ka dalë në një gjykatë në New York, pas kapjes së tij të shtunën gjatë një operacioni ushtarak të Shteteve të Bashkuara në Caracas. Ai akuzohet për trafik droge dhe armësh, si dhe “narko-terrorizëm”.
Seanca ka nisur me gjyqtarin 92-vjeçar Alvin Hellerstein, i cili e ka informuar Maduron për akuzat ndaj tij.
Maduro deklarohet i pafajshëm para gjykatës
Maduro është deklaruar i pafajshëm për akuzat e narko-terrorizmit në një gjykatë amerikane, duke i thënë gjyqtarit në spanjisht: “Unë jam një njeri i ndershëm, jam ende president i vendit tim”.
Cilia Flores, bashkëshortja e Maduros, gjithashtu është deklaruar e pafajshme për akuzat e drogës gjatë seancës gjyqësore.
Maduro i tha po ashtu gjyqtarit amerikan se ishte “marrë peng”.
Maduro ka angazhuar avokatin e njohur penalist Barry Pollack, i cili ka përfaqësuar për një kohë të gjatë themeluesin e WikiLeaks, Julian Assange, si avokatin e tij në çështjen penale në Manhattan ku akuzohet për narkoterrorizëm. Pollack ka depozituar njoftimin e marrjes së mbrojtjes ligjore për Maduro-n në çështjen e trafikut të drogës në Distriktin Jugor të New York-ut, përpara seancës.
Seanca e ardhshme më 17 mars
Seanca e ardhshme në gjyqin ndaj Nicolás Maduro është caktuar për 17 mars, njoftojnë mediat amerikane.
Gjykatësi ka urdhëruar që Maduro të paraqitet përsëri në gjykatë.
Avokati i Maduros tha se klienti i tij nuk po kërkon lirim me kusht në këtë moment.
Megjithatë, ai mund ta bëjë këtë kërkesë më vonë, sipas raportimeve nga disa media amerikane.
