Presidenti i Venezuelës, Nicolás Maduro, është shprehur i gatshëm të largohet nga pushteti nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës i garantojnë atij azil politik, amnisti të plotë, heqin shpërblimin financiar të vendosur për arrestimin e tij dhe i sigurojnë një “mërgim komod”. Sipas raportimeve të revistës amerikane The Atlantic, Maduro ka përcjellë këtë ofertë përmes kanaleve diplomatike të ndërlidhura me ndërmjetësit e dialogut venezuelian, ndërsa Uashingtoni nuk ka dhënë ende një përgjigje zyrtare.
Presidenti socialist, i cili ndodhet në pushtet që prej vitit 2013, është aktualisht nën sanksione të shumta amerikane dhe akuzohet nga Departamenti i Drejtësisë së SHBA-së për trafik ndërkombëtar droge. Për arrestimin e tij është shpallur një shpërblim prej 15 milionë dollarësh.
Burime të The Atlantic theksojnë se qëndrimi i fundit i Maduro-s vjen në një moment tepër të ndjeshëm për Venezuelën, pas shtimit të presionit ndërkombëtar për organizimin e zgjedhjeve të lira, lirimin e të burgosurve politikë dhe rikthimin e dialogut kombëtar.
Nëse kërkesat e tij do të pranoheshin, dorëheqja e Maduro-s do të shënonte fundin e më shumë se një dekade pushtet autoritar dhe do të hapte rrugën për një tranzicion të mundshëm demokratik në vendin me burime të pasura nafte, por të rrënuar ekonomikisht nga kriza e zgjatur politike dhe inflacioni galopant.
