

Makina luksoze e zhvilluar nga JAC dhe Huawei shënon mbi 12 mijë porosi dhe pritet të sfidojë rivalët gjermanë në tregun kinez
Kompania kineze JAC, në bashkëpunim me gjigantin teknologjik Huawei, ka lançuar Maextro S800, një berline luksoze që tashmë është konsideruar nga ekspertët si makina më e mirë kineze e prodhuar ndonjëherë. Pavarësisht çmimit të lartë për standardet e tregut vendas, kjo makinë po shitet me një ritëm të jashtëzakonshëm.
Çmimi i Maextro S800 varion nga 85 mijë deri në 122 mijë euro, duke e pozicionuar atë në kategorinë e modeleve më luksoze në Kinë. Megjithatë, kërkesa ka qenë aq e madhe, saqë vetëm pak javë pas hapjes së porosive, kompania kishte marrë mbi 10 mijë kërkesa, ndërsa sot shifrat kanë kaluar 12 mijë. Vetëm gjatë muajit gusht 2025, janë shitur 1,006 njësi, dhe pritshmëritë janë që prodhimi mujor të arrijë 1,500 njësi në shtator dhe deri në 3 mijë makina çdo muaj, drejt fundit të vitit.
Në aspektin teknik, Maextro S800 ofrohet si version elektrik dhe me motor EREV. Në variantin më të fuqishëm, makina zhvillon 1,006 kuaj-fuqi dhe arrin një autonomi deri në 702 kilometra, sipas ciklit CLTC.
Krahasuar me rivalë të njohur si Mercedes-Benz S-Class Maybach, e cila shiti 12,449 njësi në Kinë, gjatë vitit 2024, Maextro S800 shihet si një konkurrent serioz që mund të dominojë tregun e limuzinave luksoze. Për Huawei dhe JAC, kjo është jo vetëm një rritje prestigji, por edhe një sukses financiar i menjëhershëm, me të ardhura që vlerësohen në 90 deri 130 milionë euro.