
Automjeti humb kontrollin në aksin rrugor, të lënduarit jashtë rrezikut për jetën
Një aksident rrugor është regjistruar paraditen e sotme në aksin Vlorë–Orikum, ku një automjet tip Benz ka dalë nga rruga pas humbjes së kontrollit nga drejtuesja.
Sipas informacioneve paraprake, drejtuesja e mjetit ka humbur kontrollin e makinës për shkaqe ende të paqarta, duke përfunduar jashtë karrexhatës. Si pasojë e aksidentit, janë dëmtuar lehtë shoferja dhe pasagjeri i mitur, rreth 16 vjeç.
Të lënduarit janë transportuar menjëherë për ndihmë mjekësore dhe sipas mjekëve ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë dhe të emergjencës, të cilat kanë kryer veprimet e nevojshme për normalizimin e qarkullimit.
Policia po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit dhe për të përcaktuar shkaqet që çuan në daljen e automjetit nga rruga.
