
Një ngjarje e rëndë tronditi mbrëmjen e djeshme zonën e Pomezias, afër Romës, ku makina e gazetarit të njohur italian Sigfrido Ranucci shpërtheu pas vendosjes së një pajisjeje shpërthyese. Fatmirësisht, askush nuk mbeti i plagosur, por dëmet materiale janë të mëdha.
Sipas raportimeve të mediave italiane, pajisja ishte vendosur nën automjetin e gazetarit, i cili drejton emisionin investigativ “Report” në Rai 3. Shpërthimi ka dëmtuar edhe makinën tjetër të familjes dhe një pjesë të shtëpisë ku banon Ranucci.
Në vendngjarje kanë ndërhyrë menjëherë zjarrfikësit, karabinierët dhe ekspertët e mjekësisë ligjore, ndërsa prokuroria e Antimafias në Romë ka nisur hetimet për të zbuluar autorët dhe motivet e atentatit. Paraprakisht, dyshohet se sulmi ka qenë një akt frikësimi ndaj gazetarit për shkak të punës së tij hetimore.
Vetë Ranucci njoftoi publikisht për ngjarjen, duke e cilësuar “një mesazh me tritol” që synon të godasë lirinë e medias. Gazetari është i njohur për investigimet mbi korrupsionin dhe aferat politike, përfshirë rastet që lidhen me marrëveshjen Rama–Meloni për emigrantët dhe hetimet mbi ish-ministrin shqiptar Arben Ahmetaj.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të ashpra në Itali. Ministri i Mbrojtjes Guido Crosetto e quajti aktin të turpshëm dhe të papranueshëm, ndërsa kryeministrja Giorgia Meloni shprehu solidaritet të plotë me gazetarin, duke theksuar se liria e informacionit është një shtyllë thelbësore e demokracisë.
Autoritetet italiane po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të këtij atentati që ka tronditur botën e medias dhe opinionin publik në vend.