

Shpërthimi i fuqishëm shkatërroi makinën e Ilir Locit dhe dëmtoi një tjetër mjet, duke tronditur banorët e Fushë Krujës.
Një ngjarje e rëndë ka tronditur mbrëmjen e sotme Fushë Krujën, ku makina e administratorit të njësisë administrative, Ilir Loci, u hodh në erë me eksploziv.
Automjeti tip Range Rover ishte parkuar në oborrin e një restoranti, kur një sasi lënde plasëse shpërtheu duke shkatërruar pjesën e përparme të tij. Dyshohet se eksplozivi është vendosur nga një rrugicë pranë lokalit.
Fuqia e shpërthimit ishte aq e madhe, sa u dëgjua në të gjithë zonën përreth, duke krijuar panik tek qytetarët. Për fat të mirë nuk ka viktima apo të lënduar, por dëmet materiale janë të konsiderueshme. Përveç mjetit të Locit, u dëmtua edhe një fuoristradë tjetër që ndodhej pranë.
Policia ka rrethuar zonën dhe ka nisur hetimet për të zbuluar autorët dhe motivin e ngjarjes.