
Mjeti futurist kushton 235 mijë paund dhe kombinon fluturimin vertikal me drejtimin normal në rrugë
Ëndrra për të fluturuar mbi trafikun urban po shndërrohet në realitet, pasi makina e parë fluturuese në botë ka hyrë zyrtarisht në fazën e prodhimit. Bëhet fjalë për Alef Model A Ultralight, një mjet futurist që mund të ngrihet vertikalisht në ajër dhe më pas të lëvizë në rrugë si një automjet i zakonshëm.
Automjeti është zhvilluar nga kompania amerikane Alef Aeronautics, e cila pas më shumë se një dekade pune ka njoftuar se klientët e parë do të marrin së shpejti makinat e tyre fluturuese. Çdo njësi do të montohet me dorë në ambientet e kompanisë në Silicon Valley të Kalifornisë.
Alef Model A përdor tetë helika të fshehura në pjesën e përparme dhe të pasme të automjetit, duke i mundësuar ngritjen në ajër në çdo moment. Pas përfundimit të fluturimit, makina mund të ulet dhe të vazhdojë lëvizjen normalisht në rrugë, pa pasur nevojë për pista apo infrastrukturë të posaçme.
Sipas kompanisë, ndërtimi i çdo automjeti kërkon disa muaj punë të detajuar për të garantuar sigurinë maksimale. Për këtë arsye, faza e parë e dorëzimit do të përfshijë vetëm disa klientë, të cilët do ta testojnë mjetin në kushte reale.
Ky proces gradual synon identifikimin dhe zgjidhjen e çdo problemi të mundshëm përpara se makina fluturuese të kalojë në prodhim masiv. Me një çmim prej rreth 235 mijë paundësh, Alef Model A shihet si një hap i madh drejt së ardhmes së transportit urban dhe një revolucion i mundshëm në mënyrën se si njerëzit lëvizin në qytetet e mbipopulluara.
