Katër persona ndodhen në gjendje kritike, autoritetet franceze po hetojnë ngjarjen si të qëllimshme
Një incident i rëndë ka ndodhur në ishullin Oleron, pranë brigjeve të Bretanjës në Francë, ku një automjet ka hyrë me shpejtësi mbi një grup njerëzish, duke plagosur dhjetë persona. Sipas burimeve mjekësore, katër prej të plagosurve ndodhen në kujdes intensiv për shkak të dëmtimeve të rënda.
Shoferi i automjetit, një 35-vjeçar banues në La Cotiniere, është vënë menjëherë në pranga. Gjatë momentit të arrestimit, ai ka thirrur “Allahu Akbar”, gjë që ka shtuar dyshimet se ngjarja mund të ketë pasur motiv të qëllimshëm dhe jo aksidental.
Sipas policisë, autori është person i njohur për organet ligjzbatuese, pasi më herët është proceduar për përdorim të lëndëve narkotike dhe alkoolit. Hetimet kanë nisur për të përcaktuar motivet e sakta të sulmit dhe për të analizuar nëse ngjarja ka lidhje me ekstremizmin.
Presidenti Emmanuel Macron është informuar menjëherë, gjatë kthimit të tij nga Brazili, dhe ka komunikuar me Ministrin e Brendshëm. Ndërkohë, ministri Laurent Nunez ka nisur drejt vendit të ngjarjes për të koordinuar veprimet në terren dhe për të ndjekur nga afër situatën.
Autoritetet kanë rritur prezencën policore në zonë, ndërsa komuniteti lokal është në gjendje shqetësimi pas sulmit. Hetimet po vazhdojnë në disa pista.
