Incidenti ndodhi mbrëmjen e së martës jashtë kompleksit presidencial në Uashington, ndërsa njësitë anti-eksplozivë dhe policia sekrete u angazhuan menjëherë në terren.
Një incident i pazakontë ka ndodhur mbrëmjen e së martës në Uashington, pasi një automjet u përplas me barrierat e sigurisë jashtë Shtëpisë së Bardhë, duke shkaktuar alarm të menjëhershëm. Autoritetet konfirmuan se shoferi, një burrë që ndodhej vetëm në makinë, u arrestua në vendngjarje nga agjentët e Shërbimit Sekret amerikan.
Sipas njoftimit zyrtar, makina u përplas me portën e hyrjes në orën 22:37 të mbrëmjes, duke shkaktuar “lockdown” të plotë të kompleksit presidencial dhe zonës përreth. Njësitë e specializuara për zbulimin e eksplozivëve mbërritën menjëherë në terren për të inspektuar mjetin, ndërsa një robot anti-bombë u përdor për të kontrolluar automjetin. Pas disa orësh, autoritetet njoftuan se mjeti ishte i sigurt dhe se nuk kishte asnjë kërcënim për sigurinë kombëtare.
Incidenti ndodhi në afërsi të ndërtesës Eisenhower Executive Office Building, pjesë e kompleksit të Shtëpisë së Bardhë, duke shkaktuar ndërprerje të trafikut në gjithë zonën perëndimore të Uashingtonit. Ndërkohë, policia nuk ka dhënë ende detaje mbi identitetin e shoferit apo motivet e mundshme të ngjarjes.
Banorë të zonës kanë reaguar në rrjetet sociale, duke ndarë pamje të policisë dhe njësive emergjente që rrethuan zonën. “Duket si një incident serioz, por masat e sigurisë kanë funksionuar siç duhet”, shkruante një dëshmitar në platformën X.
Ky është incidenti i dytë i ngjashëm në harkun e një viti. Në maj 2024, një shofer humbi jetën pasi u përplas me portën perimetrale të Shtëpisë së Bardhë, ngjarje që atëherë u klasifikua si aksident trafiku.
Autoritetet amerikane kanë nisur hetimet për të përcaktuar nëse përplasja e fundit ka qenë e qëllimshme apo aksidentale, ndërsa zona mbetet nën mbikëqyrje të rreptë të sigurisë presidenciale.
