
Fqinjët dhe familjarët rrëfejnë momentet e tmerrshme kur flakët përpinë banesën e familjes Hazisllari, ndërsa varrimi i viktimave zhvillohet sot pasdite në atmosferë dhimbjeje të thellë.
Në qytetin e Maliqit sot mbizotëron heshtja dhe trishtimi. Dy jetë të pafajshme, ato të nënës 38-vjeçare Merjeme Hazisllari dhe djalit të saj 14-vjeçar, Lukës, u shuan në mënyrë tragjike pas një zjarri që përfshiu banesën e tyre. Vetëm vajza e vogël, Nefeli, 6 vjeçe, arriti të shpëtojë, por ndodhet në gjendje kritike në repartin e terapisë intensive në Pediatrinë e Tiranës, me djegie të rënda në trup dhe fytyrë.
Sipas të afërmve, familja Hazisllari jetonte në kushte të vështira ekonomike. Merjemja kujdesej e vetme për dy fëmijët e saj me nevoja të veçanta, ndërsa ndihma mujore që merrte nuk i mbulonte as nevojat më elementare. “Kishin vështirësi të mëdha, i ndihmonim si fqinjë sa mundnim,” rrëfejnë banorët e lagjes, të tronditur nga ngjarja.
Një prej tyre, Xhemile Kapri, kujton çastet e para të zjarrit. “Dëgjova vajzën duke qarë në oborr dhe dola menjëherë. Ishte e mbuluar nga tymi, e nxirë, nuk fliste dot. Kur hymë brenda, pamë djalin e shtrirë, pa shenja jete. Vetëm më pas zbuluam që edhe nëna ishte brenda, e asfiksuar nga tymi. Ishte e pamundur të bënim diçka.”
Flakët, që sipas hetimeve paraprake dyshohet të kenë shpërthyer nga një defekt elektrik, përfshinë me shpejtësi të gjithë banesën, duke mos i lënë familjes asnjë mundësi shpëtimi.
Në orën 15:00 të ditës së sotme, Merjeme dhe Luka Hazisllari do të përcillen për në banesën e fundit mes lotëve të familjarëve dhe bashkëqytetarëve, që ende nuk mund ta besojnë tragjedinë që goditi zemrën e një familjeje të thjeshtë e të ndershme.