Në shkelje të hapur të ligjit zgjedhor, kandidatja socialiste për Bashkinë e Tiranës, Ogerta Manastirliu, ka përdorur orarin e punës dhe punonjësit e administratës si bazë elektorale për promovimin e saj politik.
Fushata për Tiranën ende nuk ka nisur zyrtarisht, por kandidatja e Partisë Socialiste, Ogerta Manastirliu, duket se ka vendosur ta fillojë më herët. Në kundërshtim të plotë me kufizimet e përcaktuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Manastirliu është shfaqur në një video promocionale gjatë orarit zyrtar të punës, në shoqërinë e punonjësve të administratës publike.
Në vend që t’i mbajë të rinjtë e Programit Kombëtar të Praktikave të Punës jashtë fushatës politike, ajo i ka përdorur si figurantë në aktivitetet e saj, duke dhënë mesazhin e rrezikshëm se shteti mund të kthehet në pronë partie.
Videoja e shpërndarë në rrjetet sociale, me buzëqeshje, kafe, dhe slogane për energjitë e reja, fsheh pas vetes një shkelje të qartë të Kodit Zgjedhor dhe të etikës publike. Punonjës të shërbimit civil, të cilët sipas ligjit duhet të jenë të paanshëm, u shfaqën në një aktivitet që mbart ngarkesë të qartë elektorale.
Kjo nuk është hera e parë që administrata publike vihet në shërbim të partisë në pushtet. Në vend që të jetë një hapësirë shërbimi për qytetarin, ajo po shndërrohet në një makineri propagandistike që mban peng profesionalizmin dhe integritetin e punonjësve të shtetit.
Manastirliu, e cila ka drejtuar për vite sektorët më delikatë të qeverisë, atë të shëndetësisë dhe arsimit, tashmë e ka transferuar modelin e saj të centralizimit dhe komunikimit të kontrolluar në fushën politike. Në vend të përballjes me program, ide apo transparencë, fushata e saj duket se ndërtohet mbi imazh, video të inskenuara dhe përdorimin e burimeve shtetërore si skenografi elektorale.
Ndërkohë që qytetarët e Tiranës përballen me probleme reale të përditshme; çmimet, trafikun, ndotjen, mungesën e shërbimeve sociale, kandidatja socialiste preferon të dalë në rrjete me aktivitete të kuruara, në vend që të tregojë se çfarë ka ndryshuar realisht nga koha e saj në qeveri.
Në një shtet normal, këto veprime do të përbënin arsye për hetim administrativ dhe verifikim nga institucionet përkatëse. Por në Shqipërinë e sotme, ku kufiri mes shtetit dhe partisë është zhdukur, ligji mbetet shpesh vetëm në letër.
