
Liderja e opozitës venezueliane e cilëson kapjen e Nicolás Maduros si moment historik dhe fitore të drejtësisë mbi tiraninë
Liderja e opozitës venezueliane, María Corina Machado, ka deklaruar se do të dëshironte t’ia jepte personalisht presidentit amerikan Donald Taump Çmimin Nobel të Paqes, duke e cilësuar ndërhyrjen që çoi në kapjen e Nicolás Maduro si një ngjarje që do të mbahet mend në histori.
Në një intervistë për Fox News, Machado u shpreh se 3 janari do të mbetet dita kur drejtësia mposhti tiraninë, duke e quajtur operacionin kundër regjimit të Maduro-s një hap të madh jo vetëm për Venezuelën, por edhe për lirinë dhe dinjitetin njerëzor në nivel global. Ajo theksoi se në momentin kur mori vesh për dhënien e Çmimit Nobel të Paqes në vitin 2025, ia dedikoi atë Trampit, pasi besonte se ai e meritonte.
Machado, e cila prej kohësh jeton në fshehje për shkak të presionit të regjimit chavist, deklaroi se shumëkush mendonte se ishte e pamundur të arrihej ajo që ndodhi më 3 janar, por sipas saj, presidenti amerikan e provoi të kundërtën me veprimet e tij. Ajo shtoi se çmimi nuk i përket vetëm asaj, por gjithë popullit venezuelian, dhe se do të ishte e gatshme ta ndante atë me Trampin.
Megjithatë, vetë Tramp ka shprehur rezerva mbi mbështetjen reale që Machado gëzon brenda Venezuelës, duke deklaruar se nuk është i bindur se ajo ka mbështetjen e mjaftueshme popullore për të drejtuar vendin në këtë fazë të ndjeshme tranzicioni.
Ndërkohë, pas kapjes së Maduros, nënkryetarja e tij, Delcy Rodríguez, është betuar si presidente e përkohshme e Venezuelës. Sipas raportimeve të mediave amerikane, agjencitë e inteligjencës vlerësojnë se ajo shihet si figurë më e aftë për të ruajtur stabilitetin afatshkurtër, ndërsa Machado mund të përballet me rezistencë të fortë nga strukturat e vjetra të pushtetit dhe grupet paraushtarake.
Në paraqitjen e tij të parë në një gjykatë në Nju Jork, Nicolás Maduro ka deklaruar se është rrëmbyer dhe se është një njeri i ndershëm, duke mohuar akuzat për narkoterrorizëm që rëndojnë mbi të. Situata në Venezuelë mbetet e tensionuar, ndërsa zhvillimet e fundit po ndiqen me vëmendje të lartë në arenën ndërkombëtare.
