
Komiteti Nobel në Oslo ka shpallur këtë të premte fituesen e Çmimit Nobel për Paqen për vitin 2025: María Corina Machado, udhëheqësja e opozitës venezueliane, e njohur për rezistencën e saj paqësore ndaj regjimit autoritar të Nicolás Maduro dhe përpjekjet për rikthimin e demokracisë në Venezuelë.
Në njoftimin zyrtar, Komiteti theksoi se çmimi i sivjetshëm i jepet një kampioneje të paqes dhe lirisë që ka zgjedhur fjalën përballë dhunës dhe shpresën përballë shtypjes. Machado u vlerësua për rolin e saj qendror në mobilizimin e shoqërisë civile venezueliane dhe përpjekjet për të siguruar tranzicionin demokratik përmes mjeteve paqësore.
“Ky çmim është një mesazh për të gjitha gratë dhe burrat që besojnë se demokracia mund të fitohet pa armë, me guxim dhe qëndresë,” -thuhej në deklaratën e Komitetit Nobel.
María Corina Machado, një figurë që prej më shumë se një dekade udhëheq opozitën ndaj regjimit të Maduro, është bërë simbol i rezistencës qytetare në Amerikën Latine. Për vite me radhë, ajo ka përballuar arrestime, ndalime elektorale dhe sulme ndaj familjes e bashkëpunëtorëve të saj, duke refuzuar të largohet nga vendi apo të heqë dorë nga rruga e dialogut dhe e mosdhunës.
Në fjalën e saj të parë pas marrjes së lajmit, Machado tha se e ndiente çmimin si një nder për popullin venezuelian. “Ky është çmimi i të gjithë atyre që nuk u dorëzuan, që protestuan me flamurë, jo me armë. Paqja është rruga jonë drejt lirisë,” -u shpreh ajo.
Këtë vit, për Çmimin Nobel për Paqen ishin nominuar 338 kandidatë, mes tyre figura si Yulia Navalnaya, e veja e opozitarit rus Alexei Navalny; rrjeti humanitar sudanez Emergency Response Rooms (ERR); si dhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.
Në sfondin e këtij viti që ka njohur konflikte të reja dhe përpjekje për armëpushime, shumë sy ishin drejtuar te Donald Trump, i cili publikisht deklaroi se e meritonte çmimin për rolin në marrëveshjen e paqes Izrael–Hamas. Megjithatë, Komiteti Nobel theksoi se vendimi ishte marrë disa ditë përpara arritjes së kësaj marrëveshjeje dhe nuk kishte lidhje me zhvillimet e fundit politike.
Vitin e kaluar, Çmimi Nobel për Paqen iu dha organizatës japoneze Nihon Hidankyo, që përfaqëson të mbijetuarit e bombardimeve atomike të Hiroshimës dhe Nagasakit. Këtë herë, zgjedhja e Komitetit konsiderohet si një rikthim te thelbi moral i Nobelit: mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe demokracisë në kushte shtypjeje.
“Machado është dëshmi se edhe në errësirën më të thellë politike, ekziston një rrugë drejt dritës, përmes guximit civil,” -komentoi kryetari i Komitetit Nobel, Jurgen Watne Frydnes.
Ceremonia e dorëzimit të çmimit do të zhvillohet më 10 dhjetor në Oslo, ditën kur përkujtohet themeluesi i çmimeve, Alfred Nobel.