
Një prej roleve më të mëdha në historinë e kinemasë u realizua falë një gjeniu që refuzonte të ndiqte rregullat.
Në vitin 1972, Marlon Brando e shndërroi figurën e Don Vito Corleones në një simbol të përjetshëm të kinemasë botërore. Por pak e dinë se ai nuk mësoi kurrë tekstin e filmit “The Godfather”. Reputacioni i tij problematik fillimisht kishte bërë që Paramount të mos e donte në rol, por prova e tij, me faqe të mbushura me letër higjienike për t’i dhënë pamjen e “bulldogut”, e bindi Francis Ford Coppola ta merrte.
Por sapo nisi xhirimet, regjisori e kuptoi se e kishte futur veten në një makth të vërtetë. Brando, në kërkim të natyralitetit absolut, refuzonte të mësonte dialogët. Coppola, për të shpëtuar skenat, i ngjiste fletët me replikat në mure, llamba apo dysheme, në vende që kamera nuk i kapte. Kur kjo nuk funksiononte, aktorët përballë tij, si Al Pacino apo Robert Duvall, mbanin tabela me tekstin e tij, të fshehura nga kamera.
Brando shpesh improvizonte dhe për ta sinjalizuar këtë, kishte një kod të fshehtë me regjisorin: sa herë që prekte faqen, nënkuptonte se po dilte nga skenari. Kështu, çdo lëvizje e vogël e tij, çdo fjalë e pashkruar, i shtonte rolit një dimension të papërsëritshëm.
Në fund, ajo që dukej si një kaos në xhirime, u shndërrua në një performancë legjendare që i solli Brando Oscar për aktorin më të mirë.