
Një nga tragjeditë më të rënda hekurudhore në historinë e fundit të Spanjës ka tronditur Andaluzinë. Dy trena të linjës së shpejtësisë së lartë Madrid–Andaluzí janë përplasur dhe kanë dalë nga shinat pranë Adamuzit, në provincën e Kordobës, duke shkaktuar deri tani 39 viktima dhe të paktën 122 të plagosur, nga të cilët 48 ndodhen ende të shtruar në spital, 11 prej tyre në terapi intensive.
Autoritetet rajonale kanë bërë të ditur se fuqia e përplasjes ka qenë jashtëzakonisht e madhe. Presidenti i Andaluzisë, Juanma Moreno, deklaroi se trupat e viktimave janë gjetur “qindra metra larg vendit të aksidentit”, disa të flakur nga dritaret e vagonëve, ndërsa edhe makinisti është gjetur dhjetëra metra larg kabinës së trenit. Ai paralajmëroi se bilanci mund të rëndohet më tej, pasi nën vagonët e shkatërruar mund të ketë ende viktima.
Sipas të dhënave paraprake, përplasja ndodhi në një segment të drejtë të linjës hekurudhore, ku shpejtësia maksimale e lejuar është 250 km/h. Njëri tren po udhëtonte me rreth 205 km/h dhe tjetri me 210 km/h, çka përjashton tejkalimin e shpejtësisë si shkak kryesor. Një nga hipotezat që po hetohet është dëmtimi i një nyjeje lidhëse mes shinave, e cila mund të jetë hapur gradualisht deri në momentin fatal të daljes nga shinat.
Treni privat Iryo, me 317 pasagjerë, udhëtonte nga Malaga drejt Madridit, ndërsa treni Alvia i kompanisë shtetërore Renfe po lëvizte në drejtim të kundërt, nga Madridi drejt Huelvës. Dy vagonët e parë të Alvias kanë rënë në një terrapien rreth pesë metra të thellë. Të paktën 21 nga viktimat ishin në trenin Iryo, sipas burimeve zyrtare.
Guardia Civil ka nisur procesin e identifikimit të viktimave përmes ADN-së dhe shenjave të gishtërinjve, ndërsa familjarët janë ftuar të japin mostra për të lehtësuar procedurat. Në zonë janë angazhuar dhjetëra ekipe emergjence, ambulanca, njësi reanimacioni dhe forca të ushtrisë për kërkimin e të mbijetuarve.
Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez e quajti ngjarjen “një natë dhimbjeje të thellë për mbarë kombin”, ndërsa kryeministrja italiane Giorgia Meloni shprehu solidaritetin e Italisë me Spanjën. Ministria e Jashtme italiane bëri me dije se deri tani nuk ka të dhëna për shtetas italianë të përfshirë.
Hetimet pritet të zgjasin disa ditë, ndërsa autoritetet theksojnë se vetëm një komision i pavarur do të përcaktojë shkaqet reale të kësaj tragjedie që ka tronditur mbarë Evropën.
