
Të mbijetuarit sudanezë rrëfejnë ekzekutimet, përdhunimet dhe zhdukjet masive gjatë rënies së qytetit
Rrëfime të rënda po dalin nga El-Fasher, kryeqyteti i Darfurit të Veriut, pas marrjes së qytetit nga forcat paramilitare të FSR në fund të tetorit. Familje të shpërbëra, të plagosur dhe të mbijetuar të traumatizuar tregojnë se njerëzit u vranë brenda shtëpive të tyre, u ekzekutuan nga afër dhe u morën peng në një operacion të gjerë dhune dhe terrori.
Sipas dëshmive të mbledhura nga të mbijetuarit në El-Dabbah, rrethimi mbi 550 ditësh përfundoi me një ofensivë të papritur që i gjeti banorët në tentativë për arratisje. Mes tyre ishte edhe çifti Asma Ibrahim dhe Ammar El-Tijani, të cilët planifikonin të largoheshin me tre fëmijët e tyre në orët e para të mëngjesit. Ammar ishte plagosur nga një snajper dhe pritej të transportohej me një karrocë të thjeshtë drejt zonës së sigurt. Ai nuk arriti kurrë në vendtakimin e planifikuar.
Banorët e strehuar në kampet e El-Affad raportuan se dhuna ishte sistematike. Ekzekutime në vend, përdhunime, rrëmbime masive dhe zhdukje personash përbënë atë që të mbijetuarit e përshkruajnë si një akt të pastër shfarosjeje kundër popullsisë lokale. Ndërkohë, dëshmitë flasin edhe për një fushatë të qëllimshme për të fshehur masakrat dhe për të zhdukur gjurmët e krimeve.
Rënia e El-Fasher shënon një pikë dramatike të konfliktit në Darfur, ndërsa organizatat humanitare paralajmërojnë për një katastrofë të re të sigurisë dhe përkeqësim të situatës humanitare për mijëra të mbijetuar që kanë mbetur pa ushqim, pa strehë dhe pa kujdes shëndetësor.
Në mungesë të monitorimit ndërkombëtar dhe me rrugët e komunikimit të ndërprera, frika është se kjo masakër mund të jetë vetëm një pjesë e një cikli më të gjerë dhune që po zhvillohet larg syve të botës.
