
Autorët u prezantuan si persona të njohur të viktimës, gjatë operacionit u zbulua edhe ambient për kultivim kanabisi
Një skemë mashtrimi që i kushtoi një shtetasi 55-vjeçar shumën prej mbi 40 mijë eurosh është goditur nga Policia e Tiranës, duke çuar në arrestimin e tre personave dhe shpalljen në kërkim të dy të tjerëve.
Operacioni policor i koduar Skema u finalizua nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale dhe komisariatet e Policisë së Kavajës dhe Divjakës, pas kallëzimit të bërë nga viktima.
Në pranga ranë shtetasit K. T., 36 vjeç, dhe I. Gj., 24 vjeç, banues në Divjakë, si edhe A. L., 39 vjeç, dhe E. Rr., 38 vjeç, banues në Kavajë. Ndërkohë, janë shpallur në kërkim E. B., 34 vjeç, dhe L. M., 35 vjeç.
Sipas hetimeve, këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, janë prezantuar si persona të njohur të 55-vjeçarit dhe përmes mashtrimit i kanë marrë atij shumën prej më shumë se 40 mijë euro.
Gjatë kontrollit të banesës së shtetasit A. L., ku u gjet edhe E. Rr., policia zbuloi një ambient të përshtatur për kultivim të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura. Në këtë ambient u sekuestruan dhjetëra bimë kanabisi, pajisje elektrike si llamba dhe ventilatorë, sasi kokaine dhe kanabisi, katër telefona celularë si dhe një automjet tip Audi Q5.
Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ndërsa vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal.
