
Pesë shtetas bullgarë që bënë mbi 6 mijë aplikime false për Universal Credit u urdhëruan të rikthejnë rreth 2 milionë paund, pavarësisht luksit ku shpenzuan paratë
Një nga skandalet më të mëdha të mashtrimit me përfitimet sociale në historinë e Britanisë së Madhe ka shkaktuar zemërim publik, pasi autorët e vjedhjes së mbi 54 milionë paundëve janë detyruar të kthejnë vetëm rreth një për qind të shumës së përfituar në mënyrë të paligjshme.
Bëhet fjalë për një grup prej pesë shtetasish bullgarë, të cilët përmes mbi 6 mijë aplikimeve të rreme për skemën Universal Credit, përfituan gjithsej 53.9 milionë paund nga taksapaguesit britanikë. Paratë u shpenzuan për makina luksoze, rroba firmato, ora të shtrenjta dhe pushime jashtë vendit.
Sipas vendimit të fundit të gjykatës, grupi është urdhëruar të rikthejë vetëm rreth 2 milionë paund, pasi prokuroria nuk arriti të provojë disponueshmërinë e pjesës tjetër të pasurisë, e cila dyshohet se është transferuar jashtë Britanisë. Autoritetet theksuan se një pjesë e madhe e shumës ishte fshehur ose pastruar përmes rrjeteve bankare dhe cash-it.
Anëtarët e bandës, Galina Nikolova, Stoyan Stoyanov, Tsvetka Todorova, Gyunesh Ali dhe Patritsia Paneva, u dënuan në maj të vitit 2024 me gjithsej 25 vite burg për mashtrim dhe pastrim parash. Shumica prej tyre janë liruar tashmë dhe ndodhen në pritje të dëbimit nga Britania.
Hetimet zbuluan se mashtrimi ishte kryer në shkallë industriale nga prapaskenat e disa dyqaneve të vogla në zonën Wood Green të Londrës. Grupi përdorte identitete të rreme dhe, në disa raste, edhe të dhëna reale të personave që paguanin për t’u përfshirë në skemë. Aplikimet shoqëroheshin me dokumente të falsifikuara, kontrata qiraje, fletëpagesa dhe letra të rreme nga mjekë apo punëdhënës.
Pamje tronditëse të publikuara gjatë procesit gjyqësor treguan një nga autorët duke hedhur tufa parash në dysheme, si pjesë e një loje degraduese me një grua, ndërsa policia sekuestroi qindra mijëra paund cash të fshehura në valixhe, dyshekë dhe pas pajisjeve shtëpiake.
Prokuroria e përshkroi këtë çështje si rastin më të madh të mashtrimit me përfitime sociale të zbuluar ndonjëherë në Angli dhe Uells. Autoritetet britanike kanë deklaruar se përpjekjet për rikuperimin e mëtejshëm të parave do të vazhdojnë, ndërsa rasti ka rihapur debatin publik mbi ashpërsinë e dënimeve dhe efektivitetin e konfiskimit të pasurive në raste të tilla.
