
Nigel Baker mashtroi pesë nëna të divorcuara për mbi 1 milion paund duke u premtuar dashuri, martesë dhe një të ardhme të sigurt
Një nga rastet më tronditëse të mashtrimit sentimental në Mbretërinë e Bashkuar ka përfunduar me një dënim rekord. Nigel Baker, 56 vjeç, i konsideruar si mashtruesi më i madh i romancave online në vend, është dënuar me 17 vite burg pasi u shpall fajtor për 18 akuza mashtrimi financiar.
Sipas gjykatës së Snaresbrook Crown Court, Baker mashtroi pesë gra, kryesisht nëna të divorcuara, të cilat i njohu përmes aplikacioneve të takimeve. Ai i bindi ato të merrnin kredi të mëdha, të shisnin shtëpitë dhe të transferonin kursimet e tyre, duke pretenduar se i duheshin para për të ushqyer fëmijët ose për të investuar në një biznes bastesh që, sipas tij, ishte pa rrezik.
Në realitet, paratë përdoreshin për varësinë e tij ndaj basteve online. Hetimet treguan se një nga llogaritë e basteve të hapura në emër të një viktime kishte humbje që arrinin gati në 4 milionë paund.
Viktimat përfshinin gra profesioniste, mes tyre police, infermiere të NHS, kontabiliste dhe sipërmarrëse. Njëra prej tyre i dorëzoi rreth 80 mijë paund, ndërsa një tjetër mori një kredi prej 200 mijë paundësh duke vendosur në rrezik shtëpinë e saj. Disa prej grave dëshmuan se Baker i kërcënonte se do t’i linte ose se jeta e tij rrezikohej nga banda kriminale nëse nuk i dërgonin më shumë para.
Gjykatësi Charles Falk e cilësoi Baker si një sharlatan që shfrytëzoi në mënyrë cinike dhe të pamëshirshme besimin dhe ndjenjat e viktimave, duke u premtuar martesë dhe një të ardhme të përbashkët vetëm për përfitim financiar. Sipas gjykatës, marrëdhëniet e tij shpesh mbivendoseshin dhe sapo viktimat mbeteshin pa para, ai i braktiste dhe kërkonte objektiva të rinj në aplikacionet e takimeve.
Mashtrimet u zhvilluan gjatë një periudhe tetëvjeçare, nga viti 2012 deri në vitin 2020, ndërsa humbjet reale besohet se tejkalojnë ndjeshëm shifrën 1 milion paund. Ky dënim konsiderohet më i gjati i dhënë ndonjëherë në Britani për mashtrim sentimental.
Avokatët mbrojtës përmendën varësinë nga bixhozi, problemet psikologjike dhe mbipopullimin e burgjeve si rrethana lehtësuese, por gjykata vendosi se dëmi emocional, financiar dhe shkatërrimi i familjeve ishin shumë të rënda për t’u justifikuar.
