
Një ngjarje e pazakontë ka tronditur qytetin bregdetar, ku një 49-vjeçar ka përfunduar pas hekurave, pasi u hiqej qytetarëve si prokuror i SPAK. Gjykata e Sarandës vendosi sot që Alban Muço të qëndrojë në paraburgim, ndërsa hetimet kanë zbuluar një rrjet mashtrimesh që përfshinin premtime për vende pune në institucione të drejtësisë.
Sipas dosjes hetimore, Muço u prezantohej të rinjve si funksionar i lartë pranë Prokurorisë së Posaçme dhe atyre të Përgjithshme, duke u ofruar pozicione fiktive si hetues të BKH, shoferë apo truproja personale. Për t’i bërë premtimet më të besueshme, ai përmendte paga mujore deri në 2800 euro, të shoqëruara me dieta e shpenzime të mbuluara nga institucionet shtetërore.
Në sallën e gjyqit, 49-vjeçari ka mohuar çdo qëllim mashtrimi, duke pretenduar se kishte bindjen e sinqertë se vepronte në cilësinë e prokurorit. “Më ishte krijuar perceptimi se isha pjesë e SPAK-ut. Nuk kam dashur të dëmtoj askënd,” -tha ai para trupit gjykues.
Avokati i tij, Armand Çaushi, kërkoi që klientit t’i jepet masa “arrest shtëpie”, duke argumentuar se Muço vuan nga një perceptim i deformuar i realitetit dhe nuk përbën rrezik për t’u arratisur. Gjykata, megjithatë, rrëzoi kërkesën dhe vendosi masën “arrest me burg”.
Ngjarja ka shkaktuar reagime në opinionin publik, ndërsa policia ka nisur verifikimet për të identifikuar personat që mund të jenë mashtruar nga prokurori i rremë.