
Në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, Elon Mask kërkon përdorim të kujdesshëm të AI dhe robotikës, duke theksuar se përfitimet janë të mëdha, por rreziqet reale
Biznesmeni dhe inovatori i njohur botërisht Elon Mask ka ngritur sërish alarmin për rreziqet që mund të sjellë përdorimi i pakontrolluar i inteligjencës artificiale dhe robotikës. Gjatë një fjalimi në World Economic Forum në Davos, Mask theksoi se teknologjitë e reja janë thelbësore për rritjen e standardeve të jetesës, por paralajmëroi se mungesa e kujdesit mund të çojë në pasoja të rënda për njerëzimin.
Sipas tij, zhvillimi masiv i AI dhe robotikës ka potencialin të transformojë ekonominë globale në nivele të paprecedenta, duke e bërë teknologjinë pothuajse falas dhe të aksesueshme kudo. Megjithatë, Mask nënvizoi se pa rregulla dhe kontroll, ky zhvillim mund të kthehet në kërcënim.
Duke iu referuar industrisë së filmit, Mask solli si shembull universin e krijuar nga regjisori James Cameron, ku makinat marrin kontrollin dhe kthehen kundër njerëzimit. Ai theksoi se askush nuk dëshiron të përfundojë në një realitet të ngjashëm me Terminatorin, pavarësisht se filmat janë të suksesshëm dhe të dashur për publikun.
Mask foli gjithashtu për vizionin e tij afatshkurtër dhe afatgjatë, duke parashikuar se robotët humanoidë do të jenë më të shumtë se njerëzit brenda pak vitesh. Ai konfirmoi se kompania Tesla synon të nxjerrë në treg robotin humanoid Optimus për publikun deri në vitin 2027, një afat më i vonë se parashikimet e mëparshme.
Sipas Mask, inteligjenca artificiale pritet të tejkalojë inteligjencën e çdo individi njerëzor deri në fund të vitit 2026 dhe, brenda pesë viteve, të kalojë edhe inteligjencën kolektive të njerëzimit. Pikërisht për këtë arsye, ai kërkoi qasje të matur dhe përgjegjësi globale në zhvillimin e AI dhe robotikës, për të shmangur skenarë që sot duken fantastiko-shkencorë, por nesër mund të bëhen realitet.
