

Tre vende të mëdha – Mbretëria e Bashkuar, Australia dhe Kanadaja – shpallën zyrtarisht njohjen e Palestinës si shtet, duke shënuar një kthesë historike në diplomacinë globale vetëm pak ditë para mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Ky hap synon të rrisë presionin mbi qeverinë izraelite në një kohë kur Gaza po përballet me një krizë humanitare të thellë dhe njëkohësisht forcon mesazhin politik të këtyre shteteve në arenën ndërkombëtare.
Lajmi u bë publik nga vetë liderët e vendeve respektive, ndërsa është paralajmëruar se Portugalia pritet të ndjekë të njëjtën linjë ditën e sotme.
Njohja e Palestinës nga tre shtete me peshë të madhe në skenën botërore shihet si një moment kyç për kauzën palestineze, pasi i jep asaj legjitimitet të shtuar dhe ushtron presion mbi aktorët e tjerë ndërkombëtarë që ende nuk kanë ndërmarrë një hap të tillë.
Në prag të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ky zhvillim pritet të ndikojë ndjeshëm në diskutimet për të ardhmen e procesit të paqes dhe drejtësinë e një zgjidhjeje të qëndrueshme për konfliktin izraelito-palestinez.