
Kuqezinjtë nuk gjetën rrugën e rrjetës në 45 minutat e para, ndërsa një goditje e Gjimshitit në shtesë u përplas në traversë.
Pjesa e parë e sfidës Andorra–Shqipëri u mbyll pa gola, me një lojë të vakët dhe pa shumë raste të rrezikshme nga skuadra kuqezi. Përballja u zhvillua kryesisht në mesfushë, ndërsa Shqipëria pati vështirësi në krijimin e aksioneve të qarta.
Rasti më i mirë erdhi vetëm në minutat shtesë, kur Berat Gjimshiti u afrua shumë pranë golit pas një goditjeje këndi, por topi u ndal nga traversa, duke i mohuar Shqipërisë avantazhin.
Në krahun tjetër, lajme pozitive vinin nga ndeshja paralel mes Anglisë dhe Serbisë, ku “Tre Luanët” e mbyllën pjesën e parë në avantazh 1-0 falë golit të Bukayo Saka.
Me këtë skenar, Shqipëria ka nevojë për vetëm një gol për të siguruar matematikisht kualifikimin në fazën playoff të Kupës së Botës. Kuqezinjtë pritet të shtojnë presionin në pjesën e dytë në kërkim të golit të shumëpritur.
