
I shpallur në kërkim ndërkombëtar për falsifikim dhe pastrim parash, pritet ekstradimi i tij drejt Shqipërisë
Vijon operacioni i koduar The Wanted për kapjen dhe kthimin në Shqipëri të shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Në fazën e radhës të këtij operacioni, është arrestuar në Gjermani një 60-vjeçar shqiptar, i cili akuzohet për përvetësim prone përmes dokumenteve të falsifikuara dhe ndërtim të paligjshëm në qytetin e Vlorës.
Sipas njoftimit të Policia e Shtetit, arrestimi u bë falë bashkëpunimit mes Interpol Tirana dhe autoriteteve gjermane. Shtetasi H. M., 60 vjeç, u lokalizua në territorin gjerman dhe u arrestua me qëllim ekstradimin në Shqipëri.
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm në Vlora, me vendim të datës 19 qershor 2022, i kishte caktuar këtij shtetasi masën e sigurisë arrest në burg për veprat penale falsifikimi i dokumenteve, shkatërrimi i pronës dhe pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale.
Nga hetimet rezulton se H. M. ka përvetësuar një apartament në Vlorë duke falsifikuar lejen e ndërtimit, apartament që ishte në pronësi të shtetasit J. M. Pas përvetësimit, ai e ka shembur banesën dhe në të njëjtin truall ka ndërtuar një objekt tjetër me përmasa më të mëdha, duke përfituar në mënyrë të paligjshme.
Aktualisht, Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet ligjzbatuese gjermane, po ndjek procedurat ligjore për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë, ku pritet të përballet me drejtësinë për akuzat e ngritura ndaj tij. Operacioni The Wanted vijon, me synimin për të goditur krimin dhe për të vënë para ligjit personat e shpallur në kërkim ndërkombëtar.
